Me dy aktakuza, Selajdin Beqa vazhdon të udhëheqë Autoritetin e Konkurrencës

Tre muaj pa u zbatuar vendimi i KPMSHCK-së për pezullimin e Selajdin Beqës – dy gjykata refuzuan ndalimin e ekzekutimit
Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, znj. Binaku-Isufi, për rreth tre muaj, nuk ka zbatuar pikën III të Vendimit A.nr.49/2026 të KPMSHCK-së, me të cilën është obliguar të ndërmarrë veprimet për pezullimin e Selajdin Beqës nga marrëdhënia e punës, në rrethanat e përcaktuara në vendim dhe lidhur me aktakuzën për vepër penale të kryer gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Çështja është dërguar edhe në gjykata nga Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, e cila ka kërkuar ndalimin e ekzekutimit të vendimit të KPMSHCK-së.
Gjykata Administrative, me Aktvendimin AKP.nr.967/2026 të datës 13.08.2026, e ka refuzuar kërkesën për ndalimin e ekzekutimit.
Më pas, Gjykata e Apelit, me Aktvendimin AA.nr.1330/2026 të datës 28.08.2026, e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Kryetares së Autoritetit të Konkurrencës dhe e ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Administrative.
Përkundër këtyre vendimeve, sipas dokumentacionit që disponojmë, pezullimi i Selajdin Beqës ende nuk është realizuar.
Selajdin Beqa, sipas Ligjit për zyrtarët publikë, është dashur të pezullohet që nga fillimi i procedurës penale, përkatësisht me ngritjen e aktakuzave sipas datave 18 mars 2024 dhe 24 tetor 2024. Por pezullimin e tij, sipas informatave që posedon gazeta, e ka refuzuar dhe penguar znj. Binaku-Isufi. Ajo shihet edhe me veprimet e saj duke i dalë në mbështetje përmes padisë për masë të përkohshme, ndalimin e ekzekutimit të pikës III, të vendimit A.nr.49/2026 dhe ankesës kundër Aktvendimit AKP.nr.967/2026 në Gjykatën e Apelit.
Kjo nuk është çështje personale e një punonjësi. Është çështje e respektimit të vendimeve të organeve shtetërore, vendimeve gjyqësore dhe sundimit të ligjit në një institucion publik të Republikës së Kosovës.
Vendimet e institucioneve dhe gjykatave duhet të zbatohen dhe, nëse ekziston moszbatim, organet kompetente duhet të sqarojnë përgjegjësinë për këtë mosveprim.
Dokumentet relevante janë në dispozicion për gazetën dhe institucionet kompetente.
Kujtojmë se z. Kurti, Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, javën e kaluar ka pezulluar nga marrëdhënia e punës drejtorin ekzekutiv të Institutit për Administratë Publike, pasi ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për kryerjen e veprës penale gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Autoriteti i Konkurrencës është institucion i pavarur dhe i përgjigjet Kuvendit të Kosovës, përkatësisht Komisionit parlamentar për ekonomi, industri, tregti dhe ndërmarrësi. Ky Komision është tani funksional dhe duhej që titullarin e Autoritetit të Konkurrencës, përkatësisht znj. Binaku-Isufi, ta thërrasë në përgjegjësi në lidhje me moszbatimin e Ligjit dhe refuzimin për të mosekzekutuar vendimet e formës së prerë të KPMSHCK-së dhe Aktvendimeve të Gjykatave.
Bashkëngjitur gjeni Vendimin A.nr.49/2026 të KPMSHCK-së, Pika III, Aktvendimin AKP.nr.967/2026 të Gjykatës Administrative dhe Aktvendimin AA.1330/2026 të Gjykatës së Apelit.



